Përcaktimi i produktit tonë kafe ARGJIRO, si "Kafe Tradicionale Shqiptare" është një nocion i ri, i cili u përdor për herë të parë nga firma jonë që prej 1995 dhe lidhet me veçantinë e këtij produkti si dhe me prezantimin e tij si një tip tjetër kafeje , në tregun Grek.
Që atëherë e deri me sot, ky nocion po përdoret pothuajse nga të gjithë shqiptarët, në vënd të nocionit të vjetër, “kafe turke”.
Shumë na pyesin, ç’është kafeja shqiptare dhe nëse ka lidhje me ekzistencën e plantacioneve të kultivimit të kafes, në Shqipëri.
Përdorimi i nocionit "Kafe Tradicionale Shqiptare" ka lidhje me metodën tradicionale shqiptare, të përpunimit(pjekje dhe bluarje), bërjes dhe pirjes së kafes nga shqiptarët që në vitet e hershme të hyrjes së kafes në Shqipëri.
Kafeja jeshile kultivohet vetëm në Brazili dhe në vendet e Amerikës Latine dhe që andej shpërndahet në të gjithë botën. Çdo shtet ka traditën e vet në mënyrën përpunimit, të bërjes dhe të pirjes së kafes. Sipas traditës së çdo vendi, kemi dhe ekzistencën e tipeve të ndryshme të kafeve.
Kafeja tradicionale shqiptare edhe ajo greke hyjnë në të njëjtën familje dhe shpesh quhen dhe kafe turke për nga fakti se, kafeja si produkt, ka hyrë për herë të parë në zonën e Ballkanit nga turqit, gjatë pushtimit otoman, të cilët pasi e piqnin dhe e bluanin kafen, për bërjen e një kafeje përdornin xhezve prej bakri mbi një vatër të nxehtë dhe për pirjen e saj përdornin kupa të vogla që quheshin filxhane. Në ato kohëra kafeja ishte e rrallë dhe e shtrenjtë dhe pihej kryesisht nga sulltenjtë dhe të kamurit turq, për t’i mbajtur ata të zgjuar gjatë betejave.
Me kalimin e kohërave kafeja filloi të përdoret dhe nga ballkanasit, të cilët dhe sot e kësaj dite, e përgatisin dhe e pinë atë me të njëjtën metodë që e bënin turqit, prandaj në rang botëror kjo lloj kafe njihet si kafe turke.
Megjithatë ndërkohë që si metodë mbetet e njejtë, ka ndryshime të theksuara midis vendeve të ndryshme të rajonit, në mënyrën dhe preferencat e përgatitjes së kafes.
Kjo ishte dhe arsyeja që ne e veçantuam produktin tonë Kafe ARGJIRO,duke e karakterizuar atë si KafeTradicionale Shqiptare.